Nxënësit e shkollës "Sezai Surroi" në Bujanoc realizojnë një aksion kundër diskriminimit dhe paragjykimeve
Një grup i nxënësve të shkollës së mesme "Sezai Surroi" në Bujanoc së bashku me profesorin e tyre të edukatës qytetare, Feston Hasanin, realizuan sot në qendër të qytetit një aksion për ngritjen e vetëdijes tek qytetarët lidhur me diskriminimin, paragjykimet dhe stereotipat, raporton Titulli.com.Nxënësit të ndarë në tre grupe kanë shpërndarë tek qytetarët një pyetësor me pyetje që i kanë përpiluar me ndihmën e profesorit Hasani.
“Pyetjet në pyetësor janë bazuar në tre probleme shoqërore: diskriminimi, stereotipat dhe paragjykimet. Ne jetojmë në një komunë ku jetojnë tre komunitete: shqiptarë, serbë dhe romë, dhe për këtë arsye janë shumë prezentë këto probleme shoqërore”, theksoi profesori Feston Hasani për portalin informativ Titulli.com.
Sipas fjalëve të tij, pyetësori do të realizohet herën e parë në gjuhën shqipe dhe pastaj dhe në gjuhën serbe.
“Përmes këtij pyetësori synojmë që të vërejmë se sa shoqëria jonë vuajnë nga këto veti negative, dhe sa i luftojnë qytetarët ato”, shtoi Hasani.
Të dhënat dhe përgjigjet nga pyetjet e pyetësorit do të publikohen në ditët në vazhdim, thanë organizatorët e këtij aksioni./Titulli.com/